Embelsira, Tarta

Krostate me Pjeshkë dhe Boronica

0 comments

Ingredientët:

  • Për petën e krostatës:
  • 1 ½ filxhan miell
  • 6 lugë gjelle miell bajamesh
  • 2 lugë gjelle sheqer
  • ¼ lugë çaji kanellë
  • 170 gram gjalpë shumë i ftohtë
  • 2 – 4 lugë gjelle uji akull i ftohtë
  • Për Mbushjen:
  • 2 – 3 lugë gjelle sheqer kane
  • 1 lugë gjelle niseshte
  • ¼ lugë çaji kanellë
  • 1/3 filxhan boronica të freskëta
  • 3 pjeshka mesatare
  • 50 gram arra
  • Lëkura e një limoni
  • 1 lugë çaji lëng limoni

Përshkrimi:

Në fillim përgatisim petën e krostatës ku në një enë të thellë miksojmë mirë miellin e grurit, miellin e bajames, sheqerin, lëngun e limonit dhe gjalpin shumë të ftohtë të prerë në kubik. (është shumë e rëndësishme që gjalpi të jetë i ftohtë, unë zakonisht para se ta përdor e pres në kubik dhe e fus 10 minuta në frizer për të qenë e sigurt që e ka ftohtësinë e duhur)

Fillojmë e punojmë me një mjet për të copëzuar dhe miksuar miellin me gjalpin por nëse nuk keni një mjet të tillë mund ta përzini me dorë dhe pse nuk rekomandohet sepse dora  është shumë e ngrohtë dhe do ta shkrij gjalpin (por unë derisa mora këtë mjet e beja me dorë se nuk kisha zgjidhje tjetër)

E punojmë derisa të miksohen të gjithë ingredientët dhe të përftojmë një brumë të thërrmuar tek I cili më pas shtojmë nga një lugë uji akull të ftohtë duke e punuar derisa të arrijmë një masë brumi të qëndrueshëm dhe të ngjeshur. (ujin e hedhim një lugë e një lugë derisa të formohet brumi)

Brumin e përftuar e rrethojmë nga të gjitha anët me një qese kuzhine dhe e lëm të pushojë në frigorifer për 30 – 60 minuta.

Ndërkohë mënjane pastrojmë pjeshkët, të cilat i presim në feta mesatarisht të trasha, i përziejmë me sheqer, niseshte, lëng dhe lëkurë limoni, kanellë dhe boronica e i lëm mënjanë sa të hapim brumin.

Pasi e nxjerrim brumin nga frigoriferi e hapim me ndihmën e një petëze (pec/okllai) duke ruajtur një trashësi 0.5 cm.

Petën e përftuar e vendosim në një tepsi tek e cila kemi shtruar një letër kuzhine.

Mbi të rendisim sipas dëshirës pjeshkat dhe shpërndajmë në sipërfaqen e tyre boronicat dhe arrat e thërrmuara mesatarisht.

Lyejmë sipërfaqen e petës me të kuqin e një veze dhe e spërkasim me feta bajame

E pjekim në furrë të para ngrohur 200°C për 40 – 45 minuta pas së cilave e lëm të pushoji pa e lëvizur nga tepsia pasi është shumë e butë dhe pjesa e frutave e lëngshme.

Rekomandohet të shoqërohet me akullore me vanilje për një shije ideale.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*