Embelsira, Kek

Kek me Mente dhe Lime

0 comments

Ingredientët:

  • Për kekun:
  • 250 gram sheqer i bardhë
  • lëkura e 3 limonëve lime
  • 10 gram gjethe mente të freskëta ose 1 lugë çaji plot mente e thatë
  • 150 gram gjalpë
  • 3 kokrra vezë
  • 200 ml qumësht
  • 300 gram miell
  • 2 lugë çaji pluhur pjekës
  • 1 majë luge çaji kripë
  • Për Dekor:
  • 100 gram çokollatë
  • 1 filxhan sheqer pluhur
  • 2 lugë çaji lëng limoni lime
  • lëkurë limoni për dekor

Përshkrimi:

Në fillim në një grirës elektrik grijmë mirë sheqerin, lëkurën e limonëve dhe mentën derisa të grihen e të miksohen më së miri.

Mbi sheqerin e miksuar shtojmë gjalpin të cilin e kemi në temperaturë ambienti dhe e përziejmë derisa të arrijmë një masë homogjene tek e cila vazhdojmë duke shtuar vezët dhe qumështin.

Në fund tek masa e përftuar shtojmë miellin të cilin e kemi përzier më parë me pluhurin pjekës dhe një majë lugë çaji kripë e përziejmë me kujdes dhe e derdhim në formën që kemi lyer më parë me vaj, e nëse përdoret e njëjta formë si unë sugjerohet të shtrohet një letër kuzhine në mënyrë që të jetë më e lehtë procedura e nxjerrjes së kekut nga forma.

Piqet ne furrë të para ngrohur 180°C për 60 minuta dhe me ndihmën e një shkopi kuzhine, 5 minuta para përfundimit te kohës se pjekjes bëjmë provën, nëse shkopi del i pastër përfundojmë minutazhin e përcaktuar në të kundërt e zgjasim pak.

Pasi e nxjerrim nga furra e lëm të pushoj mbi një tel kuzhine dhe kur është ftohur plotësisht fillojmë zbukurimin.

Për zbukurimin përziejmë sheqerin pluhur me lëngun e limonit lime dhe lëkurën e tij derisa të përftojmë një masë mesatarisht të holle me të cilën lyejmë sipërfaqen e kekut dhe presim derisa kremi të ngurtësohet disi.

Pas kësaj shkrijmë 100 gram çokollatë me 1 lugë çaji vaj arre kokosi dhe me të lyejmë të gjithë sipërfaqen e kekut mbi kremin me sheqer dhe limon dhe në fund e spërkasim me lëkurë limoni të grirë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*