Ingredientët:
- 300 ml ujë i vakët
- 8 gram maja e thatë
- 50 ml uzo
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- ½ lugë çaji kripë
- 1 majë luge çaji sheqer
- 1 lugë çaji fara anise të bluara
- 550 gram miell
- Për Sipërfaqen:
- 2 lugë gjelle uji
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- ½ lugë çaji fara anise të bluara
- 1 majë luge çaji kripë
- Susam sipas dëshirës
Përshkrimi:
Në një tas të vogël ngrohim ujin (uji duhet të jetë i ngrohtë jo i nxehtë) dhe tek ujë shtojmë majanë e thatë, e përziejmë me kujdes dhe lëm mënjanë për 10 minuta derisa majaja të tretet.
Ndërkohë që presim majanë, mënjanë përziejmë ingredientët e thatë si miellin me kripën, sheqerin dhe farat e anisës të bluara.
Në mes të përzierjes së mësipërme krijojmë një hapësirë të vogël tek e cila hedhim ujin me majanë e ardhur tashmë, uzon dhe vajin e ullirit.
I përziejmë të gjitha me kujdes derisa të përftojmë një masë brumi të qëndrueshëm i cili nuk ngjit më në anët e enës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë dhe e vendosim në një ambient të ngrohtë për 40 minuta derisa të dyfishoj masën e tij fillestare.
Ndërkohë që presim brumin të dyfishoj masën, përgatisim përzierjen të cilën do ta hedhim në sipërfaqen e bukës, ku në një enë të vogël trazojmë ujin me vajin, kripën dhe farat e bluara të anisës.
Brumin që tashmë është gati e hapim me kujdes me duar ose me ndihmën e një petëze (pec/okllai) e lyejmë të gjithë sipërfaqen me përzierjen e përgatitur me parë. Shtojmë mbi të susam sipas dëshirës, e mbulojmë përsëri me një pecetë dhe e lëm të dyfishoj masën për të dytën herë (rreth 20 – 30 minuta e ruajmë në një ambient të ngrohtë).
Pas kësaj me ndihmën e gishtërinjve formojmë disa gropëza të vogla në të gjithë sipërfaqen e brumit dhe e pjekim në furrë të para ngrohur 220°C për 20 minuta ose derisa sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë kafe të lehtë.
Pasi e nxjerrim nga furra e lëm të pushoj për pak minuta dhe e konsumojmë të ngrohtë të shoqëruar me gjalpë ulliri, ullinj, ose gjithçka tjetër sipas dëshirës.
P.S: Kjo bukë duhet të dalë pothuajse një gisht e trashë por kjo varet nga shija individuale e në rastin tim ka dale e trashë pasi familjarët e mi e shijojnë me shumë kështu. Për të arritur trashësinë e saj tradicionale mjafton të ndahet masa e brumit në dy pjesë dhe në këtë mënyrë përftojmë 2 bukë të holla.




