Ingredientët:
- 2 kg mish qengji
- 2 kokrra qepë të mëdha
- 2 degë selino
- 3 – 4 karota mesatare
- 2 kokrra patate
- 2 filxhan verë e kuqe
- 2 domate mesatare
- 2 lugë gjelle gjalpë + pak vaj ulliri
- 2 ½ lugë çaji hudhra pluhur
- 1 lugë çaji kripë
- ¾ lugë çaji arrë moskati
- 1 lugë çaji rigon
- 1 ½ lugë çaji timo
- 2 degë rozmarinë e freskët
- 2 gjethe dafine të thata
- 2 shkopinj kanelle
Përshkrimi:
Në fillim pastrojmë mishin e qengjit, e kullojmë dhe skuqim me kripë në një enë ku kemi shkrirë gjalpin dhe vajin duke e kthyer nga të gjitha anët. (nuk e skuqim plotësisht) pas kësaj e heqim dhe e lëm mënjane.
Tek gjalpi që kemi skuqur mishin hedhim qepën e grirë hollë bashkë me hudhrat pluhur, kripën, rigonin, arrën e moskatit dhe timon, i përziejmë derisa qepa të zbutet dhe pas kësaj shtojmë karotat e prera në copa mesatarisht të vogla, selinonë e grirë dhe patatet e prera në kubikë, i trazojmë pak dhe në fund shtojmë domatet të cilave i kemi hequr lëkurën dhe copëzuar imët.
Në fund e rikthejmë mishin tek ena, e përziejmë me kujdes dhe shtojmë verën (vera duhet të mbulojë treçerekun e mishit), gjethet e dafinës, shkopinjtë e kanellës dhe degët e rozmarinës.
Pas kësaj e lëm të marrë valë dhe pasi ka marrë valë e ulim temperaturën dhe e lëm të ziej për 60 minuta me temperaturë mesatarisht të ulët (2 – 3 ) derisa mishi të gatuhet plotësisht.
Kur mishi është gati e heqim nga lëngu dhe me ndihmën e një blenderi i bluajmë perimet e ziera me verë derisa të përftojmë një masë kremoze të cilën e hedhim në enën ku do ta pjekim dhe mbi të vendosim copat e mishit.
E pjekim në furrë të para ngrohur 200°C për 30 minuta derisa mishi të marrë një ngjyrë të kuqërremtë dhe yndyra të dalë në sipërfaqe.
Për një shije ideale rekomandoj të shoqërohet më bullgurë ose oriz basmati.




